
Bashkimi i kompanive “Solar Park Gjoricë” Sh.p.k. përzgjidhet si ofertuesi kryesor në ankandin voltaik hibrid 300 MW organizuar nga MIE
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, organizoi ankandin fotovoltaik hibrid 300 MW, i pari i këtij lloji i zhvilluar në vendin tonë. MIE në këtë proces kishte bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qeverisë Zvicerane përmes SECO dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku theksoi se investitorët marrin përsipër vetë sigurimin e tokës dhe të gjithë investimin. Qeveria shqiptare garanton blerjen e energjisë elektrike me një çmim të arsyeshëm. Znj. Balluku tha se Qeveria synon që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues të energjisë.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri Ruth Hube dhe Drejtori i BERZH Gianpiero Nacci vlerësuan maksimalisht këtë ankand dhe vlerën që do sjellë ai në prodhimin e energjisë në vendin tonë.
Në vijim u zhvillua ankandi ku morën pjesë 9 konsorciume kombëtare dhe ndërkombëtare. “Solar Park Gjoricë”, bashkim i “Solar park Gjorica”, “Info-Telecom” Sh.p.k. (Shqipëri) dhe “Adame Global Enerji San. & Tic. As” (Turqi), me ofertën për një kapacitet të instaluar 35.6 MW, dhe çmim të ofruar 39.7 Euro për MW/orë, u shpall fituesi i parë dhe mori dritën jeshile të zbatimit.
Drejtori i përgjithshëm i Info-Telecom, Marin Gjonaj, kryesuesi i këtij konsorciumi, duke vlerësuar këtë projekt thekson se ai do të sjellë vlerë për zonën e veriut të Shqipërisë, si në ekonomi ashtu edhe tek qytetarët si konsumatorë fundorë, dhe njëherazi i përshtatet strategjisë së Qeverisë Shqiptare për eksport të energjisë në rajon. Z. Gjonaj theksoi se ky është projekti i dytë madhor i Info-Telecom pas atij të Greennat Solar Pak në Ballsh.
“Vlerësojmë zhvillimin e këtij ankandi përmes një procesi krejt transparent ofertimi në sytë e publikut, me një bashkëpunim e një ekspertizë shumë të frytshme me partnerët zviceranë dhe BERZH. Ky zhvillim është kryer me nje standard evropian dhe ka krijuar nje precedencë transparence i cili shton besimin e kompanive kombëtare dhe ndërkombetare tek nismat publike” tha z. Gjonaj.